Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se përmes taksave po rrit barrën financiare për qytetarët.
Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson situatën si “algoritmi i naftës dhe algoritmi i Edi Ramës”, duke deklaruar se nga çmimi prej 219 lekësh për litër naftë, rreth 100 lekë janë taksa, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe TVSH-në.
Sipas tij, sa më shumë rritet çmimi i karburantit, aq më shumë të ardhura arkëton shteti nga taksat, ndërsa qytetarëve nuk u kthehet kjo shtesë në formën e lehtësimeve fiskale.
Bardhi ka kritikuar gjithashtu qeverinë për mënyrën se si po përballet me rritjen e çmimeve, duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit. Ai pretendon se qeveritë e këtyre vendeve kanë përdorur mekanizma për të amortizuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së rikujtoi edhe propozimin e opozitës, të cilin sipas tij qeveria e ka rrëzuar tre muaj më parë. Propozimi parashikonte uljen e taksës së qarkullimit dhe krijimin e një mekanizmi automatik për kthimin tek qytetarët të të ardhurave shtesë nga TVSH-ja, përmes uljes së akcizës.
“Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë”, shkruan Bardhi, duke i bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë për uljen e barrës fiskale mbi karburantet.










