Balla: Shqipëria model në integrim, synojmë mbylljen e negociatave me BE deri në 2027

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria po konsiderohet një model për vendet aspirante në procesin e integrimit europian, duke theksuar se objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.

Në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Balla u shpreh se progresi i Shqipërisë është vlerësuar veçanërisht për reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria me reformën në drejtësi dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar po konsiderohet model për vendet e tjera aspirante”, tha Balla, duke iu referuar edhe qëndrimeve të Gjermanisë në kuadër të procesit të negociatave.

Ai nënvizoi se kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, janë më të rëndësishmit në procesin e anëtarësimit, pasi hapen të parët dhe mbyllen të fundit.

Sipas Ballës, mbështetja për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor po rritet edhe brenda BE-së. Ai përmendi një propozim të Italisë dhe Austrisë për të avancuar më shpejt procesin e anëtarësimit për rajonin.

“Ambicia jonë është që negociatat të mbyllen deri në fund të vitit 2027. Më pas, procesi kalon në dorën e vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi ai.

Balla shtoi se procesi i anëtarësimit është kompleks dhe kërkon përfshirjen e institucioneve shqiptare, Parlamentit dhe potencialisht edhe të qytetarëve përmes një referendumi.