Policia e Shtetit ka arrestuar punonjësin e një shoqërie private të sigurisë, i cili u filmua duke goditur me grusht një qytetar gjatë protestës së zhvilluar më 30 maj në zonën e Portonovës, në Zvërnec.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit.
Nga hetimet u identifikua dhe u shoqërua shtetasi Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një shoqërie private të sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ai u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Sipas Policisë, Biba ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V., të cilët janë proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Paralelisht me hetimin penal, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar edhe nisjen e një hetimi disiplinor ndaj të gjithë zinxhirit komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për mënyrën e menaxhimit të protestës dhe masat e marra gjatë zhvillimit të saj.
Policia e Shtetit deklaron se mbetet e angazhuar në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në mbajtjen përgjegjës të çdo punonjësi policie që neglizhon detyrën ose vepron në kundërshtim me ligjin.










