Arrestohet në SHBA 51 vjecari nga Fieri, i dënuar për vr*sjen e 2 vëllezërve në Patos dhe një gruaje në Belgjikë

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Globi” ka çuar në arrestimin në Ohio të SHBA-së të një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim prej vitit 1997, i dënuar për disa vrasje të rënda në Shqipëri dhe Belgjikë.

Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier, u lokalizua dhe u vu në pranga falë bashkëpunimit mes Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit, Interpol Brukselit, si dhe agjencive ligjzbatuese amerikane.

Sipas Policisë së Shtetit, Hoxha ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, ngjarje e ndodhur më 30 mars 1997. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me një tjetër shtetas, ekzekutoi me armë zjarri shtetasit H. B. dhe I. B., për motive të dobëta.

Ndërkohë, në vitin 2010, Gjykata e Brukselit e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shtetaseje shqiptare në Belgjikë, më 29 gusht 1997. Sipas autoriteteve, viktima ishte shfrytëzuar më herët prej tij për prostitucion.

Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me agjencitë amerikane për ekstradimin e 51-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë.