Arrest me burg për shoferin që goditi patrullën e policisë 

Gjykata e Durrësit ka caktuar këtë të mërkurë masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili mbrëmjen e së shtunës në zonën e ish-Kënetës në Durrës ka rrezikuar jetën e efektivëve të policisë, pasi ka përplasur automjetin e patrullës në tentativë për t’iu shmangur ndalimit.

Sipas të dhënave, patrulla e policisë ishte njoftuar nga banorët e zonës për një drejtues automjeti që lëvizte me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17 të qytetit. Gjatë ndjekjes nga forcat e rendit, në përpjekje për t’u larguar, 44-vjeçari ka lëvizur mjetin në të kundërt dhe ka përplasur automjetin e policisë.

Nga verifikimet e kryera, rezulton se Abazaj ka rezultuar nën efektin e alkoolit, me 1.4 mg/l, ndërsa është gjithashtu përsëritës për të njëjtën vepër penale.