AMP nis hetim për fotot e Ergys Agasit, dyshohet se u nxorën nga Policia

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim administrativ për publikimin e fotografive të Ergys Agasit, të arrestuar nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, pas shpalljes në kërkim nga SPAK.

Ndryshe nga pamjet zyrtare të publikuara nga Policia e Shtetit dhe SPAK, ku Agasi shfaqej me fytyrën e mbuluar dhe identiteti i tij paraqitej me iniciale, në media u publikuan më pas fotografi të tij pa mbulim të fytyrës.

Fotot, të cilat u bënë virale, dyshohet se janë shkrepur brenda automjetit të Policisë gjatë transportimit të Agasit nga Durrësi drejt Tiranës. Pamje të tjera janë publikuar edhe nga ambientet e shoqërimit në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Pikërisht për mënyrën se si këto fotografi janë realizuar, aksesuar dhe nxjerrë jashtë strukturave të Policisë, AMP ka nisur verifikimet.

Grupet e hetimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ndodhen në terren dhe po verifikojnë punonjësit e Policisë së Tiranës që mund të kenë pasur akses në automjetin dhe ambientet ku ndodhej i arrestuari.

Hetimi synon të përcaktojë se kush i ka realizuar dhe shpërndarë fotografitë, nëse autorët janë punonjës policie dhe nëse është shkelur detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në përfundim të verifikimeve, AMP pritet të dalë me një reagim zyrtar për rezultatet e hetimit.