Aksidenti me humbje jete në Shkodër-Koplik, arrestohet 24-vjeçari

Policia e Shkodrës arrestoi drejtuesin e njërit prej mjeteve të përfshirë në aksidentin fatal ditën e djeshme në aksin Shkodër-Koplil, ku humbi jetën 1 person dhe u plagosën 3 të tjerë.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër–Koplik”, në fshatin Grizhë, bëjmë me dije se specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 24 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen”, tha policia.

Aksidenti ndodhi dje rreth orës 16:25, në aksin rrugor “Shkodër–Koplik”, në fshatin Grizhë, ku një automjet i drejtuar nga shtetasi A. M. është përplasur fillimisht me një tjetër automjet me drejtues shtetasin V. X., dhe më pas me një mjet tjetër të drejtuar nga shtetasi E. Gj.

Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës pasagjeri i automjetit të drejtuar nga A. M., shtetasi Z. M. Ndërkohë, dy drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerja Gj. M. kanë mbetur të lënduar lehtë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.