Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin tre persona – drejtuesi i mjetit, një grua dhe një i mitur – ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, të tre personat kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Burime nga spitali bëjnë me dije se gruaja dhe i mituri ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit vijon të jetë në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.










