Aksident në autostradën Lushnjë-Fier, pl*g*sen disa pasagjerë të furgonit

Një aksident është regjistruar në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit”, në autostradën Lushnjë-Fier.

Një automjet tip “Volkswagen” është përplasur me një furgon që transportonte udhëtarë drejt jugut të vendit. Pas përplasjes, drejtuesi i furgonit ka devijuar për të shmangur një aksident më të rëndë dhe është përplasur me barrierat metalike anësore të autostradës.

Si pasojë e aksidentit janë lënduar disa prej udhëtarëve që ndodheshin në furgon. Dy prej tyre janë transportuar me ambulancë në spital, ku kanë marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për dokumentimin e aksidentit, përcaktimin e rrethanave të përplasjes dhe menaxhimin e qarkullimit në këtë segment të autostradës.

Kryqëzimi pranë “Pushimit të Shoferit” është konsideruar prej kohësh një pikë problematike për qarkullimin rrugor, ku janë regjistruar edhe më herët disa aksidente.

Pavarësisht problematikës së përsëritur, zona vijon të presë ndërhyrje për përmirësimin e sigurisë rrugore.