Dita e shtunë ka nisur me një aksident në autostradën Lushnjë-Fier, ku dy automjete janë përplasur, por fatmirësisht ngjarja ka përfunduar vetëm me dëme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Ford”, që po kalonte nga Krutja në drejtim të Këmishtajt për të hyrë në aksin e autostradës, është përplasur nga një automjet tip “Benz” që po lëvizte në drejtimin Lushnjë-Fier.
Drejtuesit e mjeteve dhe bashkëudhëtarët nuk kanë pësuar dëmtime serioze.
Aksidenti ka ndodhur në një prej pikave të konsideruara problematike të këtij aksi rrugor, ku ndër vite janë regjistruar aksidente të shumta, disa prej tyre me pasoja fatale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po dokumentojnë aksidentin, ndërsa po punohet edhe për disiplinimin e trafikut, i cili është rënduar që në orët e para të mëngjesit.
Pavarësisht numrit të lartë të aksidenteve në këtë segment, prej vitesh nuk është ndërmarrë një ndërhyrje e plotë infrastrukturore për përmirësimin e situatës, ndërsa problematika vijon të mbetet e njëjtë.










