Agjencia e Energjise -Evropës i kanë mbetur edhe 6 javë karburant për avionë

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka ngritur alarmin për një krizë të mundshme energjetike, duke deklaruar se Evropës mund t’i kenë mbetur vetëm rreth gjashtë javë furnizime me karburant për avionët.

Në një intervistë për Associated Press, Birol theksoi se situata është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të furnizimeve, të lidhura me konfliktin me Iranin dhe kufizimet në ngushticën e Hormuzit—një nga arteriet kryesore të transportit global të naftës.

Sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon, shumë shpejt mund të nisin anulimet e fluturimeve për shkak të mungesës së karburantit. “Së shpejti mund të dëgjojmë lajme për anulime fluturimesh nga një qytet në tjetrin si pasojë e mungesave”, u shpreh Birol.

Ai paralajmëroi gjithashtu pasoja më të gjera ekonomike, përfshirë rritje të çmimeve të benzinës, gazit dhe energjisë elektrike. Sipas tij, vendet aziatike që varen më shumë nga energjia e Lindjes së Mesme—si Japonia, Koreja, India dhe Kina—do të goditen të parat, përpara se efektet të ndihen në Evropë dhe SHBA.

Ndërkohë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, theksoi se ndikimi i kësaj krize do të zgjasë edhe pas përfundimit të konfliktit, për shkak të kohës së gjatë që kërkon rikthimi i zinxhirit të furnizimit në normalitet.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm në rajon mund të thellojë krizën energjetike globale.