Bujqësia, mbështetje për fermerët e rinj, grante deri në 10 mijë euro dhe lehtësi për krijimin e fermave

Rinovimi i brezave në bujqësi dhe përfshirja e të rinjve në sektor pritet të jenë ndër prioritetet e politikës së ardhshme bujqësore dhe të zhvillimit rural. Në kushtet kur fshatrat po përballen me shpopullimin dhe emigrimin e të rinjve, synohet krijimi i mundësive të reja ekonomike për të nxitur rikthimin dhe angazhimin e tyre në bujqësi.

Kjo parashikohet në nenin 19 të projektligjit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i cili përcakton mekanizmat e mbështetjes për fermerët e rinj, nxitjen e sipërmarrjes rurale dhe krijimin e fermave të reja.

Sipas projektligjit, mbështetja nuk do të kufizohet vetëm në subvencione financiare, por do të përfshijë një paketë të integruar instrumentesh. Ajo parashikon mbështetje për hyrjen në sektor, plotësim të të ardhurave, financim për investime me norma më të larta mbështetjeje, si dhe akses në shërbime këshillimore dhe trajnime profesionale.

Një tjetër mekanizëm i parashikuar është bashkëpunimi ndërmjet brezave dhe transferimi i fermave. Përmes tij synohet që përvoja e fermerëve ekzistues t’u përcillet të rinjve, të cilët do të kenë mundësi të marrin në administrim dhe të zhvillojnë aktivitetet bujqësore, duke shmangur braktisjen e fermave dhe ndërprerjen e prodhimit.

Për lehtësimin e procedurave, aksesi në paketën e mbështetjes do të realizohet përmes një pike të vetme kontakti, e cila do të koordinojë instrumentet e financimit dhe komunikimin me institucionet përgjegjëse.

Ndërkohë, në Skemën Kombëtare të këtij viti është përfshirë për herë të parë mbështetja për të rinjtë në bujqësi, përmes granteve deri në 10 mijë euro.

Përfshirja e brezit të ri në sektor synon të nxisë investimet, modernizimin e fermave, rritjen e produktivitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës në zonat rurale.