247.8 milionë lekë shpronësime për autostradën Kashar–Rrogozhinë, publikohet lista e pronave që preken

Rreth 247.8 milionë lekë është vlera paraprake e shpronësimeve për ndërtimin e autostradës Kashar–Rrogozhinë. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka publikuar në Fletoren Zyrtare kërkesën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, së bashku me listën paraprake të pasurive që preken nga gjurma e segmentit Kashar–Pezë–Lekaj.

Në listën e publikuar përfshihen troje, ara, kullota, pemëtore, vreshta dhe ullishte. Për secilën pasuri janë evidentuar sipërfaqja që do të shpronësohet dhe vlera paraprake e kompensimit, e llogaritur në bazë të hartës së vlerës së tokës.

Publikimi vjen pas miratimit të projektit të zbatimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në gusht të këtij viti, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se procesi i shpronësimeve do t’i hapte rrugë nisjes së punimeve brenda vitit. Në atë kohë, ai bëri të ditur se ishin përmbyllur edhe diskutimet për mënyrën e lidhjes së autostradës me Bypass-in e Tiranës.

Aksi Kashar–Lekaj do të ndërtohet në një gjurmë të re, me gjatësi rreth 33.6 kilometra. Nga kjo gjatësi, 26.6 kilometra janë pjesë e kontratës koncesionare, ndërsa 7 kilometra përfshihen në Bypass-in e Tiranës dhe financohen nga buxheti i shtetit.

Kontrata koncesionare ka një afat 35-vjeçar, ndërsa investimi i parashikuar arrin në rreth 474.9 milionë euro, pa TVSH.

Ky segment është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe vijim i aksit Thumanë–Kashar, i cili tashmë është i hapur për qarkullim. Projekti synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri-jug dhe të lehtësojë ndjeshëm trafikun në aksin Tiranë–Durrës.