Shqipëria vijon të eksportojë pjesën më të madhe të naftës bruto që prodhon, ndërsa mbetet e varur nga importet për furnizimin me karburante të përpunuara. Ky është një nga konstatimet kryesore të Raportit të Tregut të Naftës 2026, publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
Sipas raportit, gjatë periudhës 2015–2025, 80.8% e naftës bruto të tregtuar nga Shqipëria është eksportuar, kryesisht drejt Spanjës dhe Italisë. Ndërkohë, prodhimi vendas ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke zbritur nga 712 mijë tonë në vitin 2021 në rreth 575 mijë tonë në vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat.
Një pjesë dërrmuese e prodhimit të raportuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i përket kompanisë Bankers Petroleum, e cila në vitin 2025 përbënte rreth 94% të tij.
Raporti nënvizon se prodhimi vendas i naftës bruto ka një ndikim të kufizuar në furnizimin e tregut shqiptar, pasi vendi nuk përpunon mjaftueshëm naftën për të përmbushur kërkesën e brendshme dhe mbështetet te importet e karburanteve të gatshme.
Dizeli dominon tregun, dy kompani zotërojnë mbi 60% të shitjes me shumicë
Nafta dizel është produkti kryesor në tregun shqiptar të karburanteve, duke përbërë 62% të konsumit të produkteve të naftës në vitin 2024. Pas saj renditen gazi i lëngshëm i naftës me 16%, benzina me 8% dhe produkte të tjera me 14%.
Një tjetër problem i evidentuar është përqendrimi i lartë i tregut. Sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021, kompanitë Kastrati dhe Gega Oil zotëronin së bashku 61% të tregut të shitjes me shumicë të naftës dizel dhe 59% të tregut të benzinës.
Nëse përfshihet edhe Europetrol Durrës Albania, tre operatorët më të mëdhenj arrinin të zotëronin 71% të tregut të dizelit dhe 70% të atij të benzinës. Ndërkohë, në Shqipëri numërohen rreth 1,400 pika karburanti, ku 34% e tyre administrohen nga tre operatorët kryesorë.
Rezervat e naftës, vetëm 30 ditë me depozita fizike në Shqipëri
Raporti ngre shqetësime edhe për sigurinë e furnizimit me karburante. Shqipëria ka detyrimin të mbajë rezerva sigurie të barasvlershme me 90 ditë importe mesatare ditore neto, por vetëm për 30 ditë kërkohet që këto rezerva të jenë fizikisht të depozituara në territorin shqiptar. Për 60 ditët e tjera lejohen marrëveshje kontraktuale.
Sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, këto marrëveshje nuk mund të konsiderohen automatikisht të barasvlershme me rezervat fizike, të cilat duhet të jenë të identifikueshme, të disponueshme dhe të aksesueshme.
Për ndryshimin e këtij sistemi, në Kuvend është përcjellë një projektligj që parashikon kalimin e administrimit të rezervave minimale të sigurisë së naftës nga kompanitë private te shteti.
Paralelisht, qeveria shqiptare dhe kompania italiane Eni kanë nisur një studim fizibiliteti për krijimin dhe administrimin e rezervës strategjike kombëtare të hidrokarbureve, si dhe të një qendre energjetike.










