Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar mekanizmin e ri të tarifimit sipas fashave të mbikonsumit, i cili parashikon tarifa më të larta për familjet, institucionet publike dhe bizneset që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar të konsumit.
Sipas skemës së miratuar, familjet që konsumojnë deri në 18 metër kub ujë në muaj do të paguajnë tarifën bazë. Për konsumin nga 18 deri në 30 m³, tarifa për metër kub mund të shumëzohet me një koeficient nga 1 deri në 3, ndërsa për sasinë mbi 30 m³ koeficienti mund të variojë nga 1.5 deri në 4.
Për shembull, një familje që konsumon 35 m³ ujë në muaj do të paguajë tarifën bazë për 18 m³ e para, një koeficient të veçantë për 12 m³ e fashës së dytë dhe një koeficient më të lartë për 5 m³ e fundit.
Për institucionet publike dhe bizneset, kufiri bazë do të përcaktohet në bazë të mesatares mujore të konsumit gjatë vitit të fundit. Fasha e dytë do të përfshijë konsumin mbi këtë mesatare deri në trefishin e saj, ndërsa fasha e tretë do të zbatohet për sasinë që tejkalon trefishin.
Mekanizmi do të zbatohet vetëm për klientët që kanë matës uji dhe nuk hyn automatikisht në fuqi për të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Secila prej tyre duhet të kërkojë miratim të veçantë për aplikimin e koeficientëve, duke paraqitur të dhëna mbi konsumin, kapacitetet e furnizimit dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë.
Ndërkohë, për Durrësin, Vlorën dhe Sarandën, ku ishte propozuar një mekanizëm sezonal për menaxhimin e konsumit gjatë muajve të verës, koeficientët dhe periudha e zbatimit do të përcaktohen me vendime të veçanta.
Kjo do të thotë se miratimi i mekanizmit nga ERRU nuk nënkupton rritje të menjëhershme të faturave për të gjithë konsumatorët, pasi zbatimi kërkon aplikim dhe miratim të veçantë për secilin operator.










