FIER/ Ndërron jetë edhe nipi i Selami Hasanit

Atentati i ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Fierit ka përfunduar me dy viktima. Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit ku u vra xhaxhai i tij, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale.

47-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, pasi kishte marrë tre plumba në trup, dy në bark dhe një në nofull. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai u vendos në repartin e reanimacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Fillimisht u raportua se kishte dalë nga rreziku për jetën, por gjendja e tij u përkeqësua dhe nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Ngjarja ndodhi në lagjen “1 Maji”, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”. Persona të armatosur hapën zjarr ndaj tij dhe nipit, teksa të dy ndodheshin në oborrin e vilës, e rrethuar me mure të larta dhe e pajisur me kamera sigurie.

Fillimisht, nga atentati mbeti i vrarë Selami Hasani, ndërsa Jakup Hasani ndërroi jetë disa orë më vonë në spital, duke e çuar në dy numrin e viktimave të këtij sulmi.