Ndryshimet në fashat e tatimit mbi të ardhurat nga pagat, të parashikuara në paketën fiskale 2027, pritet të sjellin përfitime për rreth 25.700 punonjës, ndërsa për afro 1.300 të tjerë do të rritet barra tatimore. Përfitimi më i madh do të jetë për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë bruto, ndërsa punonjësit me paga mbi 843 mijë lekë do të nisin të paguajnë më shumë tatim.
Skema e re parashikon zgjerimin e fashës së tatimit 13%, e cila do të përfshijë pagat nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë bruto në muaj. Për pagat nga 300.001 deri në 700 mijë lekë do të aplikohet norma 23%, ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë norma e tatimit do të jetë 30%.
Ndryshimet ruajnë zbritjen prej 30 mijë lekësh dhe përjashtimin nga tatimi për të ardhurat deri në 50 mijë lekë.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionin shoqërues të paketës fiskale, pagat deri në 200 mijë lekë bruto nuk do të kenë ndryshime. Ndërkohë, një punonjës me pagë 250 mijë lekë bruto pritet të përfitojë rreth 5 mijë lekë më shumë në muaj në pagën neto.
Përfitimi më i madh parashikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë bruto, ku rritja e të ardhurave neto llogaritet rreth 10 mijë lekë në muaj ose 120 mijë lekë në vit.
Ky përfitim nuk vjen nga ulja e normës së tatimit 23%, por nga zgjerimi i fashës së tatimit 13% nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Si rezultat, 100 mijë lekë të pagës që më parë tatoheshin me 23%, me skemën e re do të tatohen me 13%.
Megjithatë, efekti ndryshon për pagat e larta. Pika e barazimit llogaritet rreth 843 mijë lekë bruto në muaj. Mbi këtë nivel, punonjësit do të paguajnë më shumë tatim. Për një pagë bruto prej 1 milion lekësh, barra tatimore pritet të rritet me rreth 11 mijë lekë në muaj.
Sipas të dhënave të relacionit, nga ndryshimet pritet të përfitojnë 25.704 punonjës, ndërsa 1.293 të tjerë do të përballen me një barrë më të lartë tatimore.
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me kontratat e punës ku paga është negociuar në vlerë neto dhe jo bruto. Në këto raste, ulja e tatimit nuk përkthehet automatikisht në më shumë para për punonjësin, pasi punëdhënësi ka detyrimin të garantojë të njëjtën pagë neto të përcaktuar në kontratë.
Për të siguruar të njëjtën pagë neto pas ndryshimit të tatimit, punëdhënësit do t’u duhet të deklarojnë një pagë bruto më të ulët. Kështu, përfitimi financiar nga ulja e tatimit mund të mbetet te punëdhënësi dhe jo te punonjësi. Për një pagë bruto prej 250 mijë lekësh, kursimi për punëdhënësin llogaritet rreth 6 mijë lekë në muaj.








