Elisa Spiropali ka reaguar me një deklaratë të gjatë dhe të fortë pas përjashtimit nga Partia Socialiste, duke theksuar se nuk pendohet dhe nuk kërkon mëshirë, pavarësisht zhvillimeve politike.
“Unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia”, shkruan Spiropali.
Në reagimin e saj, ajo përdor krahasime historike dhe mitologjike për të treguar se nuk thyhet nga goditjet politike, ndërsa shprehet se nuk ka frikë të humbasë pozitat apo pushtetin.
Spiropali sulmon gjithashtu ata që i cilëson si “hajdutë dhe manipulues”, të cilët sipas saj fshihen pas imazhit të liberalëve, kozmopolitëve dhe europianëve, ndërsa në të vërtetë janë tiranë.
Në fund, ajo thekson dashurinë për Shqipërinë, duke shkruar se ka “10 milionë zemra të kuqe të përgjakura”, të cilat ua fal shqiptarëve kudo që ndodhen.
Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama konfirmoi përjashtimin e saj nga Partia Socialiste.










