Një alarm për bombë është dhënë mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit, pasi gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas është gjetur një letër me mesazh kërcënues për shpërthim.
Sipas njoftimit të Policisë, letra e shkruar në gjuhën angleze është konstatuar në tualetin e avionit dhe përmbante një kërcënim për bombë. Njoftimi është marrë rreth orës 19:30 nga menaxheri i aeroportit, i cili ka vënë në dijeni Policinë Kufitare.
Menjëherë pas alarmit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas është ushtruar kontroll i imtësishëm në avion, bagazhe dhe te pasagjerët, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga Policia dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e personit që mund të ketë shkruar mesazhin kërcënues.
Gjatë kontrollit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për ngjarjen është njoftuar edhe Antiterrori, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për identifikimin e personit që ka shkruar letrën dhe dokumentimin e plotë të rastit.










