Binaj i përgjigjet Spiropalit: S’jam emëruar nga Balluku, më bëtë presion për kontrollet

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i është përgjigjur akuzave publike të Elisa Spiropalit, e cila pretendoi se ai ishte emëruar në detyrë nga Belinda Balluku dhe se po ushtronte presion ndaj bizneseve të familjes së saj.

Në reagimin e tij, Binaj mohon të ketë pasur kontakte personale me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, përveç takimeve zyrtare që lidhen me funksionin e tij. Ai thekson se është kthyer në Shqipëri pas disa vitesh punë në SHBA, ku ishte angazhuar në fushën e auditimit financiar, me qëllimin për t’i shërbyer vendit.

“Që nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës”, shkruan Binaj.

Kreu i Tatimeve pretendon se administrata që ai drejton është përballur me presion të paligjshëm nga deputetja Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve të tyre familjare. Sipas tij, reagimi publik i Spiropalit nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë.

Binaj sqaron se kontrollet në sektorin e ndërtimit janë kryer në kuadër të planeve strategjike dhe operacionale të Administratës Tatimore, me synim luftën kundër evazionit fiskal dhe rritjen e të ardhurave. Mes subjekteve të kontrolluara, sipas tij, kanë qenë edhe biznese të lidhura me familjen e Spiropalit.

“Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese”, deklaron Binaj.

Ai shton se nga kontrollet janë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, dosjet po referohen pranë organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme. Sipas tij, procedurat janë ndjekur njësoj si për çdo tatimpagues tjetër të dyshuar për shkelje.

Në fund të reagimit, drejtori i Tatimeve i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke theksuar se është një nëpunës shteti që nuk merret me politikë dhe nuk pranon që dinjiteti i tij apo i familjes të cenohet për shkak të detyrës.

“Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, përfundon reagimin Ilir Binaj.