Prokuroria konfiskon 16 milionë euro pasuri në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, u përfituan me dokumente të falsifikuara

Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë”, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Pasuritë i përkasin shtetasit P.P., i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka vendosur kalimin e tyre në pronësi të shtetit.

Nga hetimet për procedimin penal të vitit 2015 rezultoi se për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqeje prej 32 mijë metrash katrorë në zonën e “Ujit të Ftohtë” ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.

Pas përfitimit dhe regjistrimit të pronës në vitin 2009, janë kryer një sërë veprimesh juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë.

Konfiskimi përfshin pronën fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, të regjistruar në emër të tre shtetasve, si dhe të gjitha pasuritë që kanë rrjedhur prej saj.

Në listën e pasurive të konfiskuara përfshihen disa prona me sipërfaqe të ndryshme, ndër të cilat një sipërfaqe prej 23.363 metrash katrorë, 7.932 metra katrorë, 7.637 metra katrorë dhe prona të tjera me sipërfaqe më të vogla.

Në total, vlera e pasurive të konfiskuara llogaritet në rreth 16 milionë euro.