Gjykata e Fierit ka vendosur lirimin e dy grave, me inicialet Q.R. dhe L.Zh., të arrestuara më 5 nëntor 2026, të dyshuara për prostitucion dhe mbajtje të lokaleve për prostitucion në bashkëpunim.
Me vendimin e datës 7 nëntor 2026, gjyqtarja Elira Hroni ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarave, por ka caktuar ndaj tyre masa më të lehta sigurimi personal.
Konkretisht, gjykata ka vendosur ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore të hënën e parë të çdo muaji, në orën 09:00, pranë Prokurorisë së Fierit.
Gjithashtu, është urdhëruar sekuestrimi i pasaportave dhe i çdo dokumenti tjetër identifikues që u mundëson daljen jashtë vendit.
Në vendim përcaktohet lirimi i menjëhershëm i të dyjave, nëse ndaj tyre nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi me karakter shtrëngues apo vendim penal i formës së prerë që parashikon burgim.
Vendimi është shpallur më 7 nëntor 2026 dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita e nesërme e njoftimit.










