Renia e cmimit te vajit të ullirit, fermerët kërcënojnë me braktisjen e ullishteve, kërkohet ndalimi i importeve

Rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit ka vënë në vështirësi fermerët shqiptarë, të cilët paralajmërojnë braktisjen e kultivimit dhe madje prerjen e plantacioneve ekzistuese.

Përballë kësaj situate, Albanian Food Industry (AFI) i ka drejtuar një thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve të tjera për ndërhyrje urgjente, duke propozuar një paketë me shtatë masa për mbështetjen e prodhuesve vendas.

Ndër kërkesat kryesore të AFI-së është ndalimi i përkohshëm i importit të vajit të ullirit deri në fund të muajit janar, me argumentin se hyrja e produkteve të huaja po rëndon pozitat e prodhuesve shqiptarë.

Organizata kërkon gjithashtu ngritjen e një plani pune për analizimin e situatës, si dhe krijimin e një fondi për certifikimin falas të vajit të ullirit vendas, përfshirë atë organik kur plotësohen standardet përkatëse. Sipas propozimit, kostot e certifikimit do të rimbursohen pas shitjes së produktit.

Një tjetër masë e propozuar është promovimi i përditshëm në mediat audiovizive i konsumit të vajit shqiptar, ndërsa AFI kërkon që subjektet që kanë përfituar mbështetje nga fondet publike të AZHBR-së apo lehtësira fiskale si investitorë strategjikë, të detyrohen të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar deri në muajin qershor.

Për subjektet që nuk do të respektojnë këtë detyrim, AFI propozon vendosjen e një tarife të barabartë me vlerën e vajit të importuar, si dhe përjashtimin për pesë vjet nga përfitimi i fondeve të AZHBR-së dhe lehtësirave të tjera fiskale.

Në paketën e propozuar përfshihet edhe përcaktimi i një çmimi reference për vajin e ullirit të importuar, për efekt të detyrimeve fiskale. Kostoja e referencës, sipas AFI-së, duhet të llogaritet mbi bazën e kostos së prodhimit të fermerëve shqiptarë, me kontributin e shoqatave të prodhuesve dhe QTTB Vlorë.

Së fundmi, organizata kërkon ngritjen e një task force pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku 70% e anëtarëve të jenë fermerë ose përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit. Ky grup do të monitorojë zbatimin e masave deri në fund të muajit shkurt.

AFI paralajmëron se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi dy muajt e ardhshëm janë vendimtarë për kryerjen e shërbimeve në ullishte. Sipas organizatës, braktisja e këtyre shërbimeve mund të sjellë pasoja edhe më të rënda për prodhimin e vitit të ardhshëm, fermerët dhe industrinë përpunuese.

Në deklaratën e saj, AFI u bën thirrje edhe konsumatorëve shqiptarë që të mbështesin prodhimin vendas duke blerë vaj ulliri nga fermerët dhe fabrikat shqiptare.