Brazili vijon të dominojë importin e mishit në Shqipëri, rritet pesha edhe pas kufizimeve

Pavarësisht kufizimeve të vendosura nga 3 shtatori për importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, ky vend vijon të jetë furnizuesi kryesor i tregut shqiptar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se pesha e importeve nga Brazili jo vetëm që nuk ka rënë pas hyrjes në fuqi të masës, por është rritur lehtë.

Në periudhën janar-gusht 2026, Shqipëria importoi rreth 32.4 mijë ton mish dhe të brendshme të ngrënshme, nga të cilat afro 10.7 mijë ton erdhën nga Brazili. Kjo përfaqësonte rreth 32.9% të importeve totale.

Ndërkohë, në shtator dhe tetor u importuan rreth 9.7 mijë ton mish, ku rreth 3.36 mijë ton kishin si origjinë sërish Brazilin. Për rrjedhojë, pesha e këtij vendi në totalin e importeve u rrit në rreth 34.5%.

As vendet e tjera furnizuese nuk kanë arritur të zëvendësojnë ndjeshëm importet nga Brazili. Pesha e SHBA-së ra nga 18.1% para kufizimeve në 14.7% gjatë shtatorit dhe tetorit. Greqia mbeti pothuajse në të njëjtin nivel, me rreth 16.5%, ndërsa Italia shënoi një rritje të lehtë nga 9.8% në 10.4%. Rritje u regjistruan edhe nga Polonia dhe Rumania, por kontributi i tyre mbetet më i ulët.

Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se nga 3 shtatori nuk lejohen importet e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, në zbatim të kërkesave të reja të listimit europian. Megjithatë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte sqaruar se ngarkesat e këtyre kategorive, të pajisura me certifikatë veterinare përpara kësaj date, mund të pranoheshin edhe nëse mbërrinin më vonë në Shqipëri.

Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë është se statistikat e INSTAT përfshijnë të gjithë grupin e produkteve “mish dhe të brendshme të ngrënshme” dhe jo vetëm mishin e gjedhit dhe të shpendëve, për të cilat u vendosën kufizimet. Për sa i përket mishit të derrit, autoritetet shqiptare deklaruan në tetor se marrëdhëniet tregtare me Brazilin ishin ende në proces rishikimi.

Për këtë arsye, rritja e peshës së Brazilit në statistikat e shtatorit dhe tetorit nuk përbën domosdoshmërisht provë se kufizimet nuk po zbatohen. Një pjesë e ngarkesave mund të jenë certifikuar përpara 3 shtatorit dhe të kenë mbërritur në Shqipëri pas kësaj date. Kjo e bën periudhën shtator-tetor një fazë tranzitore, ndërsa efekti real i kufizimeve pritet të bëhet më i qartë në muajt në vijim.