Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Drizë dhe ka dërguar në gjyq shoqërinë “A” SHA, si person juridik, si dhe drejtuesin teknik të saj, shtetasin R.Sh.
Ata akuzohen për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal, në kuadër të procedimit penal nr. 1484, të vitit 2023.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ujërat teknologjike të uzinës, që ndodhet në Drizë, Njësia Administrative Qendër, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit, ku në bazë të Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar, duke respektuar vlerat kufi të ndotjes.
Megjithatë, ujërat e ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur nëpërmjet një pike shkarkimi në një përrua, i cili pas rreth 17 metrash përfundon në lumin Gjanica. Bëhet fjalë për ujëra të krijuara gjatë funksionimit të uzinës, të cilat kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndërprerjes së aktivitetit të saj.
Analizat laboratorike kanë treguar se në kampionin e marrë në dalje të vaskës, përqendrimi i produkteve të naftës ishte 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të përcaktuar në Lejen e Mjedisit. Ndërkohë, ujërat janë klasifikuar në Klasën V, me “gjendje të keqe”.
Nga hetimet rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës, R.Sh., megjithëse kishte dijeni për ekzistencën e pikës së shkarkimit dhe detyrimin për ta mbyllur, kontrolluar ose pajisur me sistem trajtimi, nuk kishte marrë asnjë masë.
Sipas Prokurorisë, vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, përmes shkarkimit të ujërave të patrajtuara, shmangte kostot e trajtimit dhe transportit të tyre. Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit dhe mbikëqyrjes nga organet drejtuese të shoqërisë.
Provat për këtë çështje janë siguruar përmes akteve të inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këqyrjes së vendit të ngjarjes, analizave laboratorike, deklarimeve të personave që kanë dijeni për rrethanat dhe aktit të ekspertimit teknik-mjedisor.
Në njoftimin e saj, Prokuroria e Fierit thekson se ndotja e lumit Gjanica mbetet një problem i mprehtë mjedisor, që cenon cilësinë e ujërave dhe botën bimore e shtazore të tij. Institucioni bën me dije se, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të rasteve të shkarkimit të lëndëve ndotëse në këtë lumë dhe ndjekjen penale të personave fizikë dhe juridikë përgjegjës.










