Njerëzimi sot përshëndet Voyager 1 me kod Morse, sonda arrin një ditë-dritë larg Tokës

Një nga misionet më të jashtëzakonshme të njerëzimit në hapësirë është rikthyer në vëmendje me një përshëndetje simbolike për sondën Voyager 1, e cila prej gati 50 vitesh udhëton larg Tokës, duke mbartur me vete një mesazh të veçantë për qytetërimet e mundshme jashtëtokësore.

NASA nisi dy anije kozmike, Voyager 1 dhe Voyager 2, në vitin 1977. Voyager 2 u lëshua më 20 gusht, ndërsa Voyager 1 më 5 shtator të po atij viti. Fillimisht, misionet kishin si qëllim studimin e planetëve të jashtëm të sistemit diellor, përfshirë Jupiterin dhe Saturnin. Megjithatë, udhëtimi i tyre vazhdoi shumë përtej objektivave fillestare, duke i çuar në hapësirën ndëryjore.

Sot, Voyager 1 ndodhet rreth 25.9 miliardë kilometra larg Tokës, një distancë aq e madhe sa sinjalit të radios i duhen afërsisht 24 orë për të përshkuar rrugën nga Toka drejt sondës. Nëse anija do të dërgonte një përgjigje të menjëhershme, sinjalit do t’i duheshin edhe 24 orë të tjera për t’u kthyer në Tokë. Kjo do të thotë se një komunikim vajtje-ardhje kërkon rreth dy ditë.

Për të shënuar këtë moment të veçantë, njerëzit në mbarë botën janë ftuar të marrin pjesë në një përshëndetje simbolike për Voyager-in, duke përdorur dritën dhe kodin Morse për të përcjellë tri shkronjat VGR, identifikuesin e misionit Voyager. Përmes dritave të telefonave ose elektrikëve, pjesëmarrësit mund të riprodhojnë sinjalet e kodit Morse, duke e kthyer këtë përshëndetje në një gjest simbolik të njerëzimit ndaj një prej krijimeve të tij më të largëta.

Shkronja V përfaqësohet me tri sinjale të shkurtra dhe një të gjatë, G me dy sinjale të gjata dhe një të shkurtër, ndërsa R me një të shkurtër, një të gjatë dhe një tjetër të shkurtër.

Megjithatë, drita e telefonave apo elektrikëve nuk ka fuqinë e nevojshme për të përshkuar këtë distancë dhe për t’u kapur nga sonda. Bëhet fjalë për një përshëndetje simbolike, ndërsa komunikimi real me Voyager realizohet përmes antenave gjigante radio të NASA-s, pjesë e rrjetit Deep Space Network, i cili mundëson kontaktin me anijet kozmike në distanca shumë të mëdha.NeoAlb

Me posht linku ku mund te klikoni per te derguar mesazhin pershendetes duke drejtuar nga qielli telefonin tuaj pas perendimit tw diellit

http://go.nasa.gov/vgr