Protestë kombëtare në Tiranë, opozita rikthehet në shesh në orën 14:00

Një protestë kombëtare është paralajmëruar të zhvillohet sot në Tiranë, në orën 14:00, ku qytetarë dhe mbështetës të opozitës pritet të mblidhen në vijim të aksionit kundër qeverisë.

Protestat do të vijojnë sipas një kalendari të përcaktuar, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.

Tubimi i sotëm vjen pas protestës së zhvilluar një ditë më parë, e cila u shoqërua me përplasje fizike dhe tensione mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Gjatë protestës së së martës, një pjesë e pjesëmarrësve tentuan të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa Policia ndërhyri për t’i zhvendosur në trotuar, me argumentin se duhej të lirohej qarkullimi i automjeteve, në zbatim të aktit normativ të qeverisë.

Refuzimi i protestuesve për t’u larguar nga bulevardi solli përplasje me efektivët, ndërsa ndërhyrjet për shoqërimin e disa pjesëmarrësve e tensionuan më tej situatën.

Mes personave të shoqëruar në komisariat kishte gra, vajza dhe të moshuar. Në pamjet e publikuara u panë gjithashtu protestues që tentonin të pengonin automjetet e policisë që po largonin të shoqëruarit.

Protestuesit kundërshtuan ndërhyrjen e Policisë, duke pretenduar se kishin marrë leje për zhvillimin e tubimit dhe se e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta. Nga ana tjetër, Policia argumentoi se ndërhyrja synonte lirimin e rrugës dhe garantimin e qarkullimit.

Ndërkohë, opozita pritet të vijojë protestat në ditët në vijim, me tubime të organizuara dy herë në javë.