Von der Leyen: Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit në BE, ky është një moment i rëndësishëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, von der Leyen u shpreh se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit.

“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi dhe të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, për ta kthyer në sukses”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.

Në fjalën e saj, von der Leyen solli në vëmendje edhe historinë e zgjerimit të BE-së, duke kujtuar procesin që nisi 30 vite më parë me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat u integruan në familjen evropiane.

Ajo theksoi se zgjerimi ka sjellë transformim ekonomik dhe rritje të prosperitetit, duke marrë si shembull Poloninë, ekonomia e së cilës, sipas saj, sot është tre herë më e madhe se ajo e Bjellorusisë.

“Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë. Nëse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore do të kishin mbetur jashtë, a do t’i kishim bërë dot ballë sot Rusisë? Ato sot forcojnë kufirin tonë lindor, sepse është një kufi i BE-së. Shtetet që përgatiten për t’u futur në BE kanë shumë për të na ofruar”, u shpreh von der Leyen.