Pirro Dhima jep dorëheqjen pas arrestimit të vëllait për doping, ministria greke nuk e pranon

Kampioni olimpik i peshëngritjes, Pirro Dhima, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas arrestimit të vëllait të tij, Odise Dhima, i dyshuar për përfshirje në një skemë furnizimi me substanca dopingu për sportistët.

Megjithatë, sipas mediave greke, dorëheqja e tij nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Yiannis Vroutsis.

58-vjeçari Odise Dhima u arrestua mëngjesin e 12 nëntorit në një zonë të Atikës. Ai dyshohet se, në cilësinë e trajnerit të peshëngritjes, furnizonte sportistë me substanca dopingu që prej prillit të vitit 2024.

Hetimet disa mujore, të zhvilluara në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave, zbuluan edhe një rast të administrimit të një substance të ndaluar ndaj një sportisti të mitur gjatë një gare.

Analizat kishin evidentuar praninë e një substance të përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Për trajnerin dhe sportistin ishin vendosur më herët masa pezullimi.

Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula me preparate të paligjshme, 17 karta sportistësh, shënime personale, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas autoriteteve, substancat e sekuestruara nuk janë të miratuara për tregun grek dhe konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e përdoruesve.

Odise Dhima është dërguar përpara autoriteteve gjyqësore, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për shkelje të legjislacionit që lidhet me sportin dhe barnat e dëmshme.