Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë në Povelç për park fotovoltaik, 4 persona në burg, mes tyre drejtori i Spitalit të Fierit

Katër persona janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” për çështjen e tjetërsimit të 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçit, e cila dyshohet se është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa “Arrest me burg” janë Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Fjorelo Bida, punonjëse e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, noterja Anila Haxhiu dhe Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, i cili më herët ka drejtuar Kadastrën e Fierit.

Ndërkohë, për Arbina Jaupajn, gjithashtu punonjëse e Kadastrës Fier, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, si dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Sipas dyshimeve të hetimit, tjetërsimi i pronës prej 44 mijë metrash katrorë në Povelç është kryer gjatë periudhës kur Arben Voja drejtonte Kadastrën. Toka, e cila fillimisht rezultonte pronë shtetërore, dyshohet se është regjistruar në mënyrë të paligjshme si pronë private dhe më pas është shitur te investitorët e projektit fotovoltaik, me qëllim përfitimin financiar.

Hetimet synojnë të zbardhin të gjithë mekanizmin e tjetërsimit të pronës, procedurat e ndjekura dhe rolin e secilit prej personave të dyshuar në këtë çështje.