Prokuroria Fier dërgon në gjyq kompaninë për fshehje të ardhurash, detyrimi ndaj shtetit mbi 112 milionë lekë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shoqërinë “S” sh.p.k. dhe administratorin e saj, shtetasin me inicialet S.L., të akuzuar për fshehje të të ardhurave. Sipas hetimeve, kompania i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm përmes deklarimit të rremë të të ardhurave dhe mosdeklarimit të aktivitetit financiar.

Hetimi, i regjistruar në vitin 2021, ka zbuluar se gjatë viteve 2017–2018 shoqëria nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.4 milionë lekë për vitin 2017, si dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjeve dhe blerjeve.

Sipas eSipas ekspertimit kontabël, detyrimi tatimor i shmangur arrin në 48.8 milionë lekë, nga të cilat 46.6 milionë lekë i përkasin vitit 2017 dhe 2.1 milionë lekë vitit 2018.

Ndërkohë, detyrimi i përgjithshëm i kompanisë ndaj buxhetit të shtetit, duke përfshirë gjobat dhe interesat, përllogaritet në 112.6 milionë lekë, ose mbi 1 milion euro.

Shoqëria dhe administratori akuzohen për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.