Kanë dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë Sadete dhe Gazmir Fiku, nënë e bir, të akuzuar për vrasjen e Urim Fikut, 61 vjeç, përkatësisht bashkëshortit dhe babait të tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës.
Të dy të akuzuarit kanë mohuar përfshirjen në krim, duke qëndruar në versionin e dhënë fillimisht, se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari. Sipas deklarimeve të tyre, Urim Fiku ishte kthyer në banesë i gjakosur dhe i shpërfytyruar nga sulmi i kafshës së egër. Pasi kishte hyrë në shtëpi, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në gjoks.
Ata kanë deklaruar gjithashtu se ishte bashkëshortja ajo që kishte njoftuar ambulancën. Ndërsa Gazmir Fiku ka pretenduar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në punë pranë OSHEE-së në Bulqizë.
Në dëshmitë e tyre, nënë e bir kanë pretenduar se Urim Fiku vendoste leqe në pyll për të kapur kafshë të egra, kryesisht derra të egër.
Pritet që aktet e ekspertimit të mjekësisë ligjore nga Policia Shkencore të hedhin dritë mbi rrethanat dhe shkakun e vdekjes së 61-vjeçarit.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dy të akuzuarit.










