Policia greke ka arrestuar në Athinë 43-vjeçarin shqiptar Nikolin Pali, i kërkuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 11 tetor 2020 në zonën e Korinthit. Ai u lokalizua në lagjen Patisia, ku fshihej prej vitesh duke përdorur dyshohet dokumente identiteti të falsifikuara.
Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte, policia gjeti një pistoletë dhe dy granata dore. Sipas mediave greke, 43-vjeçari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se ka vepruar edhe si vrasës me pagesë. Ai ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme.
Pali kërkohej për vrasjen e një 43-vjeçareje ukrainase dhe farmacistit 42-vjeçar Ioannis Zonitsas. Të dy u gjetën të pajetë në një banesë verore në Flambouro, pranë Lutrakit, me plagë të shumta të shkaktuara me sëpatë.
Sipas hetimeve të kohës, shqiptari dyshohej se kishte kryer krimin për shkak të xhelozisë, pasi nuk kishte pranuar ndarjen nga ish-partnerja, e cila kishte nisur një lidhje me farmacistin.
Pas vrasjes, ai dyshohet se u mori telefonat viktimave, ndërsa më pas dogji makinën Toyota të gruas, në përpjekje për të zhdukur gjurmët. Pas krimit, u largua dhe arriti t’u shmangej autoriteteve për gjashtë vite.
Tashmë, hetuesit grekë po verifikojnë aktivitetin e tij gjatë periudhës së arratisë dhe dyshimet për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vrasje të mundshme dhe përgatitjen e një sulmi tjetër.










