Hekurudhat, 8.9 miliardë lekë investime në 2027/ Financimi dominohet nga grantet dhe kreditë e huaja, në fokus tre linjat kryesore

Buxheti për sektorin hekurudhor parashikohet të pësojë rritje gjatë vitit 2027, me një financim të përgjithshëm prej rreth 8.95 miliardë lekësh, ku pjesën më të madhe e zënë fondet e huaja përmes granteve dhe kredive nga institucionet ndërkombëtare.

Sipas projektbuxhetit, financimi i huaj për investimet hekurudhore arrin në 6.55 miliardë lekë, nga të cilat 3.25 miliardë lekë janë grante dhe 3.3 miliardë lekë kredi. Ndërkohë, financimi i brendshëm parashikohet në 2.4 miliardë lekë, nga 1.3 miliardë lekë që ishte këtë vit.

Rritja e financimit vendas lidhet kryesisht me fondet për mbulimin e TVSH-së së projekteve hekurudhore, në kushtet kur parashikohet edhe rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%.

Për vitin 2027, investimet përqendrohen në tre projekte strategjike që synojnë zhvillimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor në vend. Projekti Tiranë–Durrës–Rinas parashikon ndërtimin e godinave të stacioneve dhe elektrifikimin e linjës.

Financimin më të madh e përfiton linja Vorë–Hani i Hotit, e konsideruar një nga segmentet më të rëndësishme për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin europian. Një tjetër projekt që mbështetet me fonde është rehabilitimi i linjës Durrës–Rrogozhinë.

Përveç këtyre ndërhyrjeve, projektbuxheti parashikon financim edhe për asistencën teknike të Korridorit VIII në segmentin Durrës–Rrogozhinë, hartimin e projektit të detajuar për linjën Rrogozhinë–Pogradec, si dhe projektin për elektrifikimin e Korridorit VIII, që përfshin aksin Durrës–Rrogozhinë–Pogradec.

Ndërkohë, nga financimi i brendshëm janë parashikuar edhe disa ndërhyrje të tjera, mes të cilave hartimi i projektit për mobilimin e stacioneve dhe godinave hekurudhore, projektimi dhe ndërtimi i mbikalimeve për këmbësorët në linjën Durrës–Tiranë–Rinas, si dhe faza e dytë e ndërtimit të bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave, e njohur si “DEPO”.

Investimet e parashikuara për vitin 2027 synojnë të çojnë përpara projektet kryesore hekurudhore, duke përmirësuar lidhjet brenda vendit dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetin rajonal dhe europian të transportit.