Avokati Ndreca ka denoncuar një rast që e cilëson si shkelje të të drejtave të mbrojtjes, pasi pretendon se administrata e Institucionit të Vuajtjes së Dënimit në Fier nuk e ka lejuar të takojë klientin e tij jashtë orarit zyrtar.
Sipas avokatit, pavarësisht komunikimeve të përsëritura me punonjësit e institucionit dhe referimit të tij te ligji për të drejtat e avokatëve, kërkesa për takim nuk është pranuar.
Ndreca tha se kishte qëndruar për rreth 20-30 minuta në diskutim me oficerin e rojës, por nuk kishte arritur të merrte leje për të hyrë dhe për të komunikuar me klientin. Ai argumentoi se ligji, në nenin 51, parashikon të drejtën e avokatit për t’u takuar me klientin në çdo kohë në institucionet e paraburgimit.
Për këtë arsye, avokati është paraqitur në Prokurorinë e Fierit, ku ka deklaruar se do të depozitojë kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj personave përgjegjës në zinxhirin drejtues të institucionit.
Ai theksoi se nuk kishte pasur fillimisht qëllim ta përshkallëzonte apo ta bënte publike çështjen, por mungesa e reagimit nga administrata e burgut e ka detyruar, sipas tij, të ndjekë rrugën ligjore.
Avokati bëri të ditur gjithashtu se nuk kishte arritur të komunikonte as me klientin e tij, pasi takimi ishte refuzuar. Sipas tij, takimet me klientin nuk mund të përcaktohen nga agjenda e administratës së burgut, por duhet të respektojnë të drejtën ligjore për mbrojtje.










