Pas zgjedhjeve arrestohet kreu i Policisë në Serbi, akuzohet për manipulim të hetimeve dhe keqtrajtim të protestuesve

Marko Kriçak, drejtuesi i Policisë Kriminale në Serbi dhe një prej zyrtarëve të konsideruar të afërt me presidentin Aleksandar Vuçiç, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë. Në të njëjtën çështje është arrestuar edhe zëvendësi i tij, Bosko Sekuloviç. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre, raportojnë mediat serbe, duke iu referuar agjencisë shtetërore Tanjug.

Sipas Prokurorisë, Kriçak dyshohet se ka ndërhyrë në hetimet për një vrasje të lidhur me mafien, duke manipuluar provat me qëllim rrëzimin e akuzave ndaj personave të dyshuar për ndihmë në kryerjen e krimit.

Krahas kësaj çështjeje, ai akuzohet edhe për keqtrajtim dhe intimidim të protestuesve paqësorë. Një nga episodet e përmendura lidhet me gushtin e vitit 2025, kur efektivë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO), nën drejtimin e Kriçakut, tërhoqën zvarrë një grup studentësh dhe i dërguan në bodrumin e godinës së qeverisë në Beograd.

Sipas akuzave, Kriçak ka drejtuar personalisht operacionin, ka goditur një studente dhe e ka kërcënuar me përdhunim.

Nga shitës makinash në drejtues të Policisë Kriminale

Karriera e Kriçakut në strukturat shtetërore nisi pas një periudhe kur punonte si shitës makinash. Më pas, ai u rekrutua në Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA), ku raportohet se krijoi lidhje me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit.

Në korrik të vitit 2023 mori drejtimin e Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve, ndërsa në fund të vitit 2025 u emërua në krye të Policisë Kriminale.

Arrestimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për politikën serbe, pas fitores së listës opozitare të mbështetur nga studentët në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar, e cila siguroi shumicën e vendeve në parlament, duke lënë jashtë pushtetit koalicionin e drejtuar prej vitesh nga Vuçiç.

Megjithëse ndryshimi i qeverisë nuk është realizuar ende, arrestimi i një zyrtari të lartë të policisë, i konsideruar si një nga njerëzit e afërt të presidentit serb, përbën një zhvillim të rëndësishëm në situatën politike në vend.