Seanca plenare në Kuvend është ndërprerë sërish nga kryetari Niko Peleshi, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë refuzuar të lirojnë foltoren.
Peleshi deklaroi se punimet e Kuvendit do të rinisin vetëm pasi foltorja të lirohet nga deputetët e opozitës. Ai sqaroi gjithashtu se vendimi për t’i hequr fjalën kreut të PD-së, Sali Berisha, është marrë për shkak të asaj që e cilësoi si thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit theksoi se vendimi mund të kundërshtohet përmes mekanizmave të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa nënvizoi se interpretimi i rregullores gjatë seancës nga drejtuesi i saj nuk mund të diskutohet në atë moment.
“Ky vendim mund ta sfidoni nga kanalet që ju jep rregullorja. Interpretimi i rregullores gjatë seancës nga kryetari i Kuvendit nuk mund të diskutohet. Sërish pushim deri sa të lirohet foltorja”, u shpreh Peleshi.
Përplasjet mes drejtuesve të Kuvendit dhe deputetëve të opozitës kanë sjellë ndërprerjen e punimeve, ndërsa vijimi i seancës mbetet i kushtëzuar nga lirimi i foltores.










