Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndaj personave që përfshihen në akte dhune gjatë protestave kundër qeverisë në Tiranë. Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi se përgjegjësit do të ndiqen nga autoritetet, ndërsa paralajmëroi pasoja edhe për familjet e të miturve që dëmtojnë pronën.
“Do t’i ndjekim këmbëkëmbës. Ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën në mendje, që të largohen nga ajo rrugë një orë e më parë”, u shpreh Rama.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se familjet e të miturve që djegin apo dëmtojnë pronën e të tjerëve nuk do të përfitojnë shërbime nga shteti, pa specifikuar bazën ligjore për zbatimin e një mase të tillë.
“Do t’ju vijë fatura në familje. Nuk do të marrë asnjë shërbim nga shteti familja e fëmijës që djeg pronën e tjetrit”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama paralajmëroi edhe kufizime të aksesit në aeroporte, trena, hotele dhe mjete të tjera transporti për personat e identifikuar si të përfshirë në akte dhune.
Sipas tij, qeveria ka nisur bashkëpunimin me vendet europiane për të penguar hyrjen në këto shtete të personave që konsiderohen të dhunshëm.
“Do t’u mbyllen akseset në trena, aeroporte, hotele, mjete transporti. Do të bashkëpunojmë dhe kemi nisur bashkëpunimin me vendet europiane për ndalimin e aksesit në ato vende si njerëz të dhunshëm”, u shpreh Rama.










