Kryeministri Edi Rama ka premtuar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të Policisë së Shtetit të angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.
Gjatë një takimi me uniformat blu, kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se nga 1 janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave të efektivëve.
Rama argumentoi se shpërblimi synon të kompensojë stresin dhe shpenzimet shtesë me të cilat përballen efektivët gjatë shërbimit në kushtet e protestave të dhunshme.
“2500 euro për çdo efektiv që është në këtë front, sepse keni jo vetëm stresin, por edhe nevojën për të shpenzuar në këtë moment edhe gjëra ekstra”, deklaroi Rama, duke vlerësuar punën e policisë përballë protestuesve.










