Rama: U zbulua një dron me eksploziv për t’i vënë zjarrin Kryeministrisë

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke akuzuar organizatorët se synojnë të nxisin kaos dhe të mbajnë qytetarët në rrugë.

Në një komunikim në Facebook, Rama deklaroi se sulmet ndaj policisë, dëmtimi i pronës publike dhe private, si dhe goditjet ndaj bankave dhe bankomateve, nuk kanë lidhje me rininë shqiptare.

Kreu i qeverisë pretendoi gjithashtu se një dron i pajisur me eksploziv është zbuluar me qëllim vënien e zjarrit në oborrin e Kryeministrisë. Ai tha se institucionet kanë në dispozicion të dhëna për këtë çështje, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Një dron me eksploziv është zbuluar për t’i vënë zjarrin oborrit të Kryeministrisë. Kemi shumë të dhëna”, u shpreh Rama.

Kryeministri i cilësoi protestuesit e përfshirë në akte dhune si një grup të vogël të ndikuar nga ide ekstremiste, ndërsa e lidhi situatën me atë që e përshkroi si një valë protestash të ngjashme në disa vende të Europës dhe më gjerë.

Rama deklaroi se, sipas tij, përmes dhunës nuk po sfidohet vetëm qeveria, por edhe objektivi i integrimit europian të Shqipërisë deri në vitin 2030.

Në reagimin e tij, ai përmendi edhe sulmet ndaj bankave dhe bankomateve, duke argumentuar se ato nuk mbajnë para fizike në mënyrën që mund të mendojnë protestuesit.

Në përfundim, kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të lejojë që qytetarët të kenë frikë të shprehin mendimet e tyre dhe deklaroi se Shqipëria nuk mund të lulëzojë vetëm kur pushteti është në duart e atyre që protestojnë.