Një banesë në lagjen “5 Maji” në Elbasan është bërë objekt grabitjeje në orët e para të mëngjesit. Disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e shtetasit L. Z. dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash.
Ngjarja është raportuar rreth orës 04:05. Pas mbërritjes së Policisë në vendngjarje, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira, ndërsa kanë braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kanë kryer grabitjen.
Gjatë kontrolleve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete të dyshuara si të përdorura në ngjarje, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë. Janë sekuestruar edhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë hetimet.
Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.










