POLICIA SHQIPTARE FORCON BASHKËPUNIMIN ME BRITANINË KUNDËR MIGRACIONIT TË PARREGULLT

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është takuar me Victoria Pullen, shefe e Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme britanike, në kuadër të bashkëpunimit për luftën kundër migracionit të parregullt.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë takimit palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksuan nevojën për forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimin e veprimeve operacionale.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte zgjerimi i task-forcës së përbashkët me anëtarë të rinj nga vendet e rajonit, me synim rritjen e bashkëpunimit dhe efektivitetit në përballimin e migracionit të parregullt.

Victoria Pullen konfirmoi vijimin e mbështetjes britanike për Policinë e Shtetit, përmes trajnimeve të specializuara dhe pajisjeve logjistike, për të rritur kapacitetet profesionale dhe operacionale të strukturave policore shqiptare.