FIER/ Kanosje ndaj 73-vjeçarit për t’i marrë para, arrestohet 41-vjeçari

Një 41-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se për rreth dy vjet ka kanosur vazhdimisht një 73-vjeçar, me qëllim që t’i merrte një shumë parash.

Në pranga ka rënë shtetasi I. Sh., banues në Vlorë, i cili rezulton me precedent penal për krime kundër personit.

Sipas hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, 41-vjeçari dyshohet se e kanoste të moshuarin që prej vitit 2024, duke i kërkuar para që pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.

Pas kallëzimit të 73-vjeçarit dhe hetimeve të kryera me metoda speciale, policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.