Kuvendi miratoi Reformën Territoriale me 85 vota pro dhe 34 kundër, por votimi u shoqërua me tensione, përplasje verbale dhe skena të pazakonta në sallën e seancave plenare.
Pas përfundimit të votimit, kryeministri Edi Rama u largua nga salla duke qeshur, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Rama u ndal për disa çaste për të biseduar me ta, ndërsa në sallë vijonin tensionet mes deputetëve.
Në krahun e mazhorancës, deputeti Erion Braçe u pa me kokën të mbështetur në dorë, ndërsa Elisa Spiropali qëndroi në këmbë gjatë votimit, në pritje të përfundimit të seancës.
Edhe deputetët e opozitës u përfshinë në episode që tërhoqën vëmendjen. Gazment Bardhi hodhi bidonë uji në drejtim të kryeministrit Rama, duke lagur edhe disa deputetë socialistë. Ndërkohë, deputeti demokrat Klevis Balliu krijoi zhurmë në sallë duke i rënë një borie kamioni.
Tensionet ishin të pranishme edhe gjatë votimit, veçanërisht pas shfaqjes në sallë të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila mori pjesë në votimin e Reformës Territoriale. Deputetë demokratë iu drejtuan asaj me thirrje si “hajdute”, “e korruptuar”, “dil jashtë” dhe “në burg”.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe skenave të tensionuara, mazhoranca socialiste arriti të miratojë Reformën Territoriale me 85 vota pro, ndërsa 34 deputetë votuan kundër.










