Spiropali kritikon mazhorancën nga Kuvendi: “Nuk është normale të fitosh të gjitha bashkitë”
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim kritik në Kuvend gjatë diskutimeve për reformën e re territoriale, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e ushtrimit të pushtetit, decentralizimin, funksionimin e institucioneve dhe sistemin zgjedhor.
Spiropali e nisi fjalën e saj duke shprehur keqardhje për situatën politike, ndërsa tha se në Parlament vazhdon “teatri”, në një kohë kur jashtë Kuvendit qytetarët protestojnë dhe, sipas saj, vendi përballet me një mungesë të theksuar besimi te institucionet, partitë politike dhe vetë përfaqësuesit e zgjedhur.
“Së bashku kemi zhdukur çdo hapësirë normale komunikimi, besimi, mënyrë të ekzekutimit dhe të administrimit të pushtetit dhe politikës. Po e nis nga vetja, sepse besoj që secili prej nesh duhet ta nisë nga vetja”, deklaroi ajo.
Duke folur për reformën territoriale, Spiropali tha se ndryshimi i hartës së bashkive nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm dhe se diskutimi duhet të përqendrohet te pushteti real që u jepet njësive vendore.
“Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki”, tha Spiropali.
Ajo kërkoi një decentralizim real dhe ngriti pyetjen nëse qytetarët ndihen sot më pranë vendimmarrjes.
“Duhet të ndryshosh hartën, është e lehtë. Por a mund të ndryshojmë ne së bashku dhe të konceptojmë pushtetin? A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve?”, u shpreh deputetja socialiste.
Spiropali kritikoi edhe mënyrën se si ushtrohet pushteti ndaj kryetarëve të bashkive, duke theksuar se ata nuk duhet të trajtohen si vartës të partisë në pushtet.
“Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës”, tha Spiropali.
Një nga kritikat më të drejtpërdrejta të saj ishte ndaj retorikës së fitores së të gjitha bashkive nga mazhoranca.
“Më vjen shumë keq kur dëgjoj nga kolegë të mi që flasin pa vend sot për të folur me tone të tilla. Ne do i mundnim të gjithë, do i fitojmë të gjitha bashkitë… Jo mo, jo. Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë”, deklaroi ajo.
Spiropali kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe të partive politike, duke thënë se vendi nuk ka nevojë për “deputetë të bindur”, por për deputetë të përgjegjshëm.
“Nuk është puna te deputetët e bindur, por te ata të përgjegjshëm”, tha ajo.
Më tej, ajo kërkoi që reforma të shtrihet edhe te sistemi zgjedhor, duke kritikuar formulën aktuale të listave.
“Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi. Mënyra se si ju na drejtoheni është revoltuese. Revolta jonë duhet të jetë edhe e brendshme”, u shpreh Spiropali.
Në fjalën e saj ajo iu drejtua edhe deputetëve të opozitës, duke ironizuar bindjen ndaj drejtuesve politikë.
“Ju bëni sikur jeni përfaqësues të qytetarëve. Ju thotë kryetari çfarë duhet të bëni dhe ju e bëni. Pavarësia e madhe ju”, tha ajo duke iu drejtuar deputetëve të PD-së.
Në përfundim, Spiropali kërkoi që nevoja për reforma të mos shihet vetëm si një kërkesë e opozitës, por të nisë edhe nga vetë mazhoranca dhe partitë politike.
“Ne duhet ta meritojmë fitoren. Duhet të kemi guximin të reformojmë partitë tona. Bashkitë tona. Të zgjedhim njerëzit më të mirë që dalin nga proceset e brendshme të partisë”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi se qëndrimi i saj nuk ishte personal, por lidhej me nevojën për ndryshime më të thella në mënyrën e funksionimit të pushtetit dhe institucioneve.
“Qëndrimi im nuk ka qenë personal. Në këtë pikë keni shumë për të bërë”, përfundoi Spiropali.










