Një aksident rrugor është regjistruar në afërsi të rrethrrotullimit të Plukut, në bypassin e autostradës në Lushnjë.
Një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një biznesi, duke rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi. Më pas, si pasojë e përplasjes, automjeti është përmbysur në njërën anë të rrugës, pas disa rrotullimeve.
Drejtuesi i mjetit është transportuar me urgjencë me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore. Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Qarkullimit, të cilët po dokumentojnë aksidentin dhe po menaxhojnë lëvizjen e automjeteve. Ndërkohë, grupi i Policisë Shkencore po kryen ekspertizën për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se drejtuesi i automjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi dhe ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me objektet anës saj.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit.










