Krijimi i rezervës strategjike të hidrokarbureve pritet të sjellë një kosto shtesë për konsumatorët shqiptarë, me çmimin e naftës dhe benzinës që mund të rritet deri në 6.1 lekë për litër.
Shifra vjen nga përllogaritjet e operatorëve të importit dhe tregtimit të karburanteve, të cilët kanë analizuar kostot që do të krijohen nga zbatimi i projektligjit për rezervat minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Projektligji, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend, parashikon krijimin gradual të një rezerve prej rreth 238 mijë tonësh hidrokarbure. Sasia është llogaritur si e mjaftueshme për rreth 90 ditë importe.
Rezerva do të ndërtohet përgjatë pesë viteve, gjatë të cilave parashikohet të blihen çdo vit rreth 43 deri në 49 mijë tonë produkte. Në stok do të përfshihen naftë bruto, benzinë, diesel, karburant për avionë dhe produkte të tjera hidrokarbure.
Një pjesë e kostos do të mbulohet përmes një tarife që do të paguhet nga kompanitë e sektorit. Niveli i parashikuar fillimisht është rreth 3 lekë për litër, ndërsa sipas përllogaritjeve të operatorëve, pasi i shtohet TVSH-ja, ndikimi në çmimin final arrin në rreth 3.6 lekë për litër.
Kësaj i shtohen edhe kostot e rezervës së nënprodukteve të naftës, ku përfshihen blerja, magazinimi, infrastruktura, masat e sigurisë dhe mirëmbajtja. Operatorët vlerësojnë se këto shpenzime mund të shtojnë rreth 2.5 lekë të tjera për litër.
Në total, efekti i pritshëm arrin në 6.1 lekë për litër, kosto e cila, sipas operatorëve, do të reflektohet në çmimin që paguajnë qytetarët në pikat e karburantit.
Nga tarifa e re, e cila do të përcaktohet përfundimisht me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria parashikon të mbledhë rreth 3.4 deri në 3.6 miliardë lekë në vit, ose afërsisht 40 milionë euro. Për pesë vitet e nevojshme për krijimin e plotë të rezervës, kostoja totale llogaritet rreth 200 milionë euro.
Edhe qeveria pranon në relacionin e projektligjit se krijimi dhe mirëmbajtja e rezervës do të shoqërohen me kosto shtesë. Shpenzimet lidhen me blerjen e produkteve, ruajtjen, mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e rezervave.
Operatorët e tregut kundërshtojnë mënyrën e financimit, duke argumentuar se tarifa do të shtojë barrën mbi sektorin dhe, në fund, do të përkthehet në çmime më të larta për konsumatorët. Ata e kanë cilësuar gjithashtu tarifën si një taksë të fshehtë dhe kanë ngritur pretendime për mungesë konsultimi me grupet e interesit.
Ndërkohë, opozita ka propozuar që financimi i rezervës të bëhet nga buxheti i shtetit dhe jo përmes tarifës së vendosur mbi kompanitë e karburanteve. Amendamenti është propozuar nga deputeti Enno Bozdo.
Debati për koston e rezervës vjen në një treg ku karburantet në Shqipëri tashmë përballen me një barrë të konsiderueshme fiskale. Në çmimin final përfshihen TVSH-ja, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, tarifa e skanimit, taksat bashkiake dhe tarifa të tjera.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga operatorët, taksat dhe tarifat përbëjnë rreth 53% të çmimit final të naftës, ose rreth 90 deri në 100 lekë për litër. Shtimi i kostos së rezervës së sigurisë pritet të jetë një tjetër element që do të ndikojë në çmimin përfundimtar të karburanteve.










