Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për reformën territoriale/ PS kalon nismën pa praninë e opozitës

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar projektligjin për reformën e re administrative-territoriale, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij në seancë plenare.

Projektligji u miratua me votat e tetë deputetëve të Partisë Socialiste të pranishëm në mbledhje. Asnjë deputet nuk votoi kundër dhe nuk pati abstenime.

Në momentin e votimit, në komision nuk ishte i pranishëm asnjë deputet i opozitës, e cila ka bojkotuar procesin parlamentar për këtë nismë.

Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji vijon procedurat parlamentare për t’u përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit.

Votimi përfundimtar pritet të zhvillohet në seancën plenare të së enjtes, më 8 tetor. Reforma ka shkaktuar kundërshtime nga opozita dhe grupe të interesit, të cilat kanë paralajmëruar reagime ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen administrative-territoriale të vendit.