Komisioni Evropian po shqyrton një qasje të re për integrimin e vendeve kandidate, ku Shqipëria dhe Mali i Zi mund të përfshihen më herët në strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, edhe përpara anëtarësimit të tyre zyrtar.
Sipas medias belge “Rapporteur”, në kuadër të planit të ri, Shqipëria dhe Mali i Zi mund të kenë të drejtë të emërojnë nga një komisioner në Komisionin Evropian gjatë periudhës së afrimit me BE-në.
Komisionerët e emëruar nga këto dy vende do të mund të marrin pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve për çështje që lidhen me vendet e tyre dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave dhe legjislacionit evropian. Deri tani, kjo e drejtë u takon vetëm shteteve anëtare.
Në dokumentin e zbardhur nga media belge thuhet se Komisioni Evropian e konsideron të arsyeshme që një vend që ndodhet në procesin e anëtarësimit të mund të emërojë një komisioner gjatë kësaj periudhe.
Sipas propozimit, komisioneri do të mund të marrë pjesë në punën e Kolegjit për çështjet përkatëse, duke ruajtur autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të Komisionit Evropian.
Nëse kjo skemë do të miratohej dhe Shqipëria do të dërgonte një komisioner në Bruksel përpara anëtarësimit formal, do të bëhej fjalë për një precedent të ri në historinë e Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian synon t’u ofrojë vendeve kandidate një integrim gradualisht më të thellë në tregun e vetëm evropian, paralelisht me zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin.
Strategjia e re e zgjerimit pritet të prezantohet të martën në Bruksel nga komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.










