Baçi kundër hartës së re territoriale: “Dëgjoni qytetarët e Patosit dhe Divjakës”

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka kundërshtuar ndryshimet e propozuara në hartën territoriale, duke u ndalur te bashkitë e Patosit dhe Divjakës.

Gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar, Baçi tha se sipas projektit të ri, Bashkia e Patosit shkrihet dhe i bashkohet Bashkisë së Fierit, ndërsa Bashkia e Divjakës i bashkohet Bashkisë së Lushnjës.

Baçi kërkoi që në shqyrtimin e projektligjit të merret në konsideratë edhe qëndrimi i komuniteteve të prekura nga ndryshimet.

“Do të doja vëmendjen jo për mua, por për qytetarët e Divjakës dhe të Patosit”, u shpreh ai, duke kërkuar të sqarohet nëse qëndrimi i Bashkisë Divjakë, i përcjellë përmes një korrespondence zyrtare me Kuvendin, është marrë në konsideratë.

Sipas deputetit demokrat, bashkitë dhe komunitetet që preken drejtpërdrejt nga ndryshimet duhet të dëgjohen gjatë procesit të hartës së re territoriale.